Spanja nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës në 45 minutat e para ndaj Kepit të Gjelbër, me sfidën e Grupit H që është mbyllur në barazim 0-0 pas pjesës së parë.
Edhe pse iberikët dominuan pothuajse plotësisht lojën dhe mbajtën topin në mbi 68 për qind të kohës, skuadra e Luis De La Fuente nuk arriti të thyejë rezistencën e kundërshtarëve. Rasti më i mirë erdhi në minutën e 39-të, kur Ferran Torres goditi traversën nga fare pranë portës, ndërsa në vazhdim Mikel Oyarzabal pa një gjuajtje me kokë t’i ndalej nga portieri Vozinha.
Gardiani i Kepit të Gjelbër ishte protagonisti absolut i pjesës së parë, duke kryer disa pritje vendimtare ndaj goditjeve të Pedrit, Oyarzabalit dhe Laportes.
Spanja krijoi vazhdimisht presion në zonën kundërshtare, por i mungoi konkretizimi në metrat e fundit.
Ferran Torres humbi edhe një tjetër mundësi të artë në minutat shtesë, kur u ndal sërish nga reagimi fantastik i Vozinhas.
Nga ana tjetër, Kepi i Gjelbër u fokusua kryesisht te mbrojtja dhe kundërsulmet, duke arritur të mbajë të paprekur portën pavarësisht dominimit të spanjollëve.
Për momentin, surpriza është e madhe në këtë përballje, ndërsa Spanja do të kërkojë me çdo kusht golin e avantazhit në pjesën e dytë për të shmangur një hap fals në ndeshjen e parë të Botërorit 2026.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: