Një natë historike u regjistrua në NBA, ku ‘ylli’ i Oklahoma City Thunder, Shai Gilgeous-Alexander, hyri në historinë e basketbollit amerikan duke thyer një rekord të legjendës Wilt Chamberlain.
Falë 35 pikëve të realizuara në fitoren 104-102 ndaj Boston Celtics, basketbollisti kanadez arriti të shënonte 20 ose më shumë pikë në 127 ndeshje radhazi, duke kaluar rekordin e mëparshëm prej 126 ndeshjesh që mbahej nga Chamberlain. Ky është një nga rekordet më të vështira në historinë e ligës.
Prej javësh pritej që Gilgeous-Alexander të arrinte këtë moment historik. Vetëm disa ditë më parë ai kishte barazuar shifrën e Chamberlain pasi realizoi 35 pikë në fitoren ndaj Denver Nuggets, duke mbërritur në ndeshjen kundër Bostonit me synimin e qartë për të vendosur një rekord të ri.
Momenti historik erdhi në çerekun e tretë të ndeshjes. Kur rezultati ishte 69-67 për mysafirët, Gilgeous-Alexander shënoi me një gjuajtje nga distanca e mesme pikën e tij të 21-të në takim, duke siguruar kështu rekordin e ri në NBA. Arena e Paycom Center shpërtheu në festë, ndërsa tifozët e Oklahoma City festuan arritjen e ‘yllit’ të tyre.
SGA HAS PASSED WILT FOR THE LONGEST 20+ POINT STREAK IN NBA HISTORY 🚨
— NBA (@NBA) March 13, 2026
Shai: 127
Wilt: 126 pic.twitter.com/Fftlo3ISrY
Pas përfundimit të ndeshjes, ylli kanadez mori një ovacion të madh nga tifozët dhe një “dush” simbolik nga shokët e skuadrës. Vetë lojtari theksoi se fitorja kishte më shumë rëndësi se rekordi.
“Të gjitha rekordet janë të bukura, por nuk kanë vlerë nëse nuk fiton. Nëse do të kishim humbur, do të isha shumë i zemëruar,” deklaroi ai.
Basketbollisti nga Toronto po realizon një sezon të jashtëzakonshëm dhe është një nga favoritët kryesorë për çmimin MVP, që nëse e fiton, do të ishte i dyti radhazi për të.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: