Zlatan Ibrahimović ka folur për të ardhmen e Milanit gjatë një interviste për emisionin CBS Sports Golazo, ku ka konfirmuar se trajneri Massimiliano Allegri do të jetë figura qendrore e projektit sportiv të kuqezinjve edhe në strategjitë e merkatos së verës.
Ish-sulmuesi suedez, që aktualisht është këshilltar i fondit RedBird Capital Partners, fillimisht bëri edhe një batutë ndaj rivalëve të qytetit pas derbit të fituar ndaj Interi. “Duhet të jeni në anën e duhur të Milanos. Ka një pjesë blu dhe një të kuqe, ndërsa ne jemi ajo më ‘fashion’”, tha ai me humor.
Ibrahimovic u ndal më pas te roli i Allegrit, për të cilin ka pasur interes edhe nga Real Madridi. “Allegri ka fituar trofe me Milanin edhe në të kaluarën dhe është një trajner fitues. Merkatoja do të ndjekë idetë e tij. Ai e di shumë mirë se çfarë do të thotë të jesh te Milani dhe po e menaxhon grupin në mënyrë perfekte”, deklaroi suedezi.
Sipas tij, trajneri toskan është shumë i aftë në marrëdhëniet me lojtarët dhe po i transmeton skuadrës mentalitetin e duhur. “Është një fitues dhe di çfarë duhet për të pasur sukses në këtë klub”, theksoi Ibrahimovic.
Ai përmendi edhe disa nga liderët e skuadrës, duke vlerësuar veçanërisht përvojën e Luka Modrić-it dhe nivelin e Adrien Rabiot. Gjithashtu, Ibrahimovic kujtoi se kishte luajtur me Mike Maignan dhe Christopher Nkunku që kur ishin vetëm 17 vjeç te Paris Saint-Germain.
Në fund, ai foli edhe për filozofinë e re të klubit kuqezi, që synon të kombinojë rezultatet me zhvillimin e talenteve të rinj. “Në Itali të gjithë mendojnë vetëm për fitoret. Por ne duam të japim hapësirë edhe për lojtarët e rinj që të rriten. Megjithatë tifozët e Milanit janë mësuar me trofe: shtatë Liga të Kampionëve dhe 19 tituj kampionë. Ne duhet t’ua japim përsëri”, përfundoi Ibrahimovic.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: