Paris Saint-Germain fitoi 5-2 ndaj Chelsea-t në ndeshjen e parë të 1/8-ave të UEFA Champions League, në një përballje spektakolare me shumë gola dhe kthesa në rezultat.
Parizienët kaluan të parët në avantazh pas një aksioni të bukur në zonë. Një asist i zgjuar me kokë nga João Neves në shtyllën e dytë gjeti Bradley Barcola, i cili goditi saktë dhe dërgoi topin në rrjetë duke përfituar edhe nga traversa për 1-0.
Chelsea reagoi dhe arriti të barazonte rezultatin. Pas një pasimi diagonal nga Enzo Fernández, Malo Gusto depërtoi në zonë dhe realizoi me një goditje të fortë për 1-1.
Megjithatë, PSG riktheu shpejt avantazhin. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Ousmane Dembélé u gjend përballë portës dhe finalizoi me klas për 2-1, vetëm pak sekonda pasi Cole Palmer kishte humbur një rast të artë për londinezët.
Në pjesën e dytë, anglezët barazuan sërish. Një aksion i bukur nga krahu i djathtë i Pedro Neto-s u shfrytëzua nga Enzo Fernández, i cili finalizoi me saktësi për 2-2.
PSG kaloi për herë të tretë në avantazh falë një gabimi të portierit kundërshtar. Khvicha Kvaratskhelia asistoi për Vitinha-n, i cili realizoi me një parabolë elegante për 3-2.
Në minutat e fundit, protagonisti absolut ishte Kvaratskhelia. Fillimisht ai shënoi një gol spektakolar me një goditje të harkuar nga krahu i majtë për 4-2, ndërsa në kohën shtesë mbylli ndeshjen duke realizuar nga afër pas një krosimi të Achraf Hakimit, duke vulosur fitoren 5-2 për PSG-në.
Bodo/Glimt fitoi ndeshjen e parë në shtëpi ndaj Sportingut të Lisbonës me rezultat të thellë 3-0, duke treguar se jo rastësisht ka arritur deri në këtë fazë të kompeticionit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: