Një situatë e pazakontë ka përfshirë kombëtaren e femrave të Iranit në futboll, pasi një nga lojtaret që kishte kërkuar azil humanitar në Australia ka vendosur të ndryshojë mendim dhe të kërkojë rikthimin në vendin e saj.
Ministri i Brendshëm australian, Tony Burke, konfirmoi se futbollistja ka kontaktuar ambasadën e Iranit në Australi për të kërkuar që të merret nën kujdes dhe të largohet nga vendi. Fillimisht, disa lojtare të kombëtares iraniane kishin kërkuar mbrojtje humanitare, pasi situata e tyre u bë e ndjeshme pas një incidenti në AFC Women's Asian Cup.
Futbollistet kishin shkaktuar reagime të forta në Iran pasi nuk kënduan himnin kombëtar para ndeshjes së parë të turneut. Media shtetërore iraniane i kritikoi ashpër, madje i quajti “tradhtare” në një periudhë të tensionuar për vendin.
Fillimisht, pesë lojtare kishin shprehur dëshirën për të qëndruar në Australi për arsye sigurie dhe morën viza humanitare. Më pas, edhe një tjetër futbolliste dhe një anëtare e stafit teknik pranuan ofertën për mbrojtje.
Megjithatë, ndryshimi i vendimit nga njëra prej lojtareve ka bërë që autoritetet të marrin masa shtesë sigurie. Sipas Tony Burke, pasi ajo kontaktoi ambasadën iraniane, vendndodhja e gjashtë personave të tjerë që kishin kërkuar azil u bë e ditur, ndërsa më parë mbahej sekret për arsye sigurie. Për këtë arsye, ato u transferuan menjëherë në një vend tjetër për të garantuar mbrojtjen e tyre.
Ndërkohë, një zëdhënës i Asian Football Confederation bëri të ditur se kombëtarja femërore e Iranit ndodhet aktualisht në Kuala Lumpur, Malajzi, ku është vendosur përkohësisht në një hotel. Konfederata ka theksuar se prioriteti kryesor mbetet siguria dhe mirëqenia e futbollisteve.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: