Brisbane Roar hap dyert për futbollistet iraniane: Queensland është shtëpia juaj!

Brisbane Roar hap dyert për futbollistet iraniane: Queensland është shtëpia juaj!

16:59, 10/03/2026

Rasti i pesë futbollisteve iraniane që kërkuan mbrojtje në Australi pas përfundimit të AFC Women's Asian Cup vazhdon të tërheqë vëmendjen në vendin oqeanik. Klubi australian, Brisbane Roar, ka bërë të ditur se është i gatshëm t’i mirëpresë dhe t’i ndihmojë ato të ndërtojnë një jetë të re.

Bëhet fjalë për futbollistet Fatemeh Pasandideh, Zahra Ghanbari, Zahra Sarbali, Atefeh Ramazanzadeh dhe Mona Hamoudiha, të cilat, pas turneut kontinental, kërkuan dhe u morën në mbrojtje në Australi. Situata e tyre ka ngjallur reagime të shumta dhe mbështetje në opinionin publik australian.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, klubi i elitës së futbollit australian theksoi se është gati të ofrojë ndihmë konkrete për lojtaret. “Ashtu si shumë australianë, edhe të gjithë te Brisbane Roar e kemi ndjekur me admirim të madh historinë e lojtareve të kombëtares iraniane të futbollit për femra, që tani ndodhen këtu në Queensland. Ato janë futbolliste të nivelit të lartë, gra të talentuara dhe të pasionuara pas këtij sporti, po aq sa edhe ne”, thuhet në reagimin e klubit.

Më tej, drejtuesit e klubit theksuan se janë të gatshëm t’u hapin dyert për t’i ndihmuar të vazhdojnë karrierën e tyre sportive. “Për Fatemeh, Zahra, Zahra, Atefeh, Mona dhe për të gjitha shoqet tuaja të ekipit që po përpiqen të ndërtojnë një jetë të re këtu në Australi: Brisbane ka një nga komunitetet më të pasionuara të futbollit në vend dhe familja Roar ka një zemër të madhe. Do të ishte nder për ne t’ju ofronim mundësinë të stërviteni, të luani dhe të ndiheni si në shtëpi”, thekson klubi.

Në fund të deklaratës, mesazhi ishte i qartë: “Asnjë politikë, asnjë kusht. Vetëm futboll, komunitet dhe një mirëseardhje e ngrohtë. Queensland është shtëpia juaj tani.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco