Gjoba dhe pezullime për derbin e Milanos, 35 mijë euro penalitet për Milanin

Gjoba dhe pezullime për derbin e Milanos, 35 mijë euro penalitet për Milanin

16:43, 10/03/2026

Vendimet e Gjyqtarit Sportiv pas derbit mes Milanit dhe Interit kanë sjellë një seri gjobash dhe pezullimesh. Klubi kuqezi është ai që është ndëshkuar më rëndë, por edhe zikaltrit janë përfshirë në masat disiplinore.

Sa i përket Milanit, klubi është gjobitur në total me 30 mijë euro. Nga kjo shumë, 22 mijë euro lidhen me faktin se skuadra u rikthye në fushë me dy minuta vonesë në fillimin e pjesës së dytë, një situatë që e çon mbi 100 mijë euro totalin e gjobave të sezonit për të njëjtin shkak. Ndërkohë, 8 mijë euro të tjera janë vendosur për shkak të fyerjeve ndaj dy futbollistëve të Interit dhe për një incident në minutën e 47-të të pjesës së parë, kur nga tribuna u drejtua një rreze lazer ndaj një lojtari kundërshtar.

Masat nuk kanë munguar as për stafin e Milanit. Përgatitësi atletik, Simone Folletti, është pezulluar për një ndeshje dhe është gjobitur me 5 mijë euro, pasi përdori shprehje të papërshtatshme ndaj arbitrit Daniele Doveri pas një vendimi të kontestuar.

Edhe te Interi është vendosur një ndëshkim financiar. Klubi kryesues i kampionatit është gjobitur me 10 mijë euro në mënyrë indirekte për sjelljen e zëvendësdrejtorit sportiv, Dario Baccin, i cili në fund të ndeshjes kritikoi në mënyrë të përsëritur dhe me tone të papërshtatshme një vendim të arbitrit.

Ndërkohë është konfirmuar edhe pezullimi i mesfushorit Adrien Rabiot. Futbollisti francez, i cili ishte në listën e lojtarëve të rrezikuar nga pezullimi, u ndëshkua me karton të verdhë dhe për këtë arsye do të mungojë në ndeshjen e radhës ndaj Lazio.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco