Raportet mes Mauro Icardit dhe trajnerit Luciano Spalletti gjatë periudhës së tyre te Interi nuk kanë qenë kurrë të qeta. Në atë kohë, sulmuesi argjentinas kishte përkrah jo vetëm bashkëshorten, por edhe agjenten e tij, Wanda Nara, e cila shpeshherë bëhej pjesë e debateve që prekën edhe ambientin e skuadrës.
Së fundmi, Spalletti ka rikujtuar atë periudhë duke folur me vlerësim për Icardin si futbollist, por duke pranuar se situata jashtë fushës ndikonte në ekip.
“Për Icardin nuk mund të them veçse fjalë të mira. Më ndihmoi me golat, por në dhomat e zhveshjes mbartte me vete edhe problemet familjare,” është shprehur trajneri. “Ishte sikur jetonte me skuadrën, por kishte një dritare të hapur edhe për botë të tjera. Në atë periudhë vendimet duhet t’i merrja unë. Mora një vendim të ashpër ndaj tij, por ai është një djalë i mirë, një djalë i këndshëm dhe një goleador fantastik.”
Vendimi i fortë i Spallettit në atë kohë ishte heqja e shiritit të kapitenit nga krahu i Icardit, një zgjedhje që shkaktoi shumë diskutime.
Trajneri italian ka treguar edhe një episod nga autobiografia e tij, ku përmend ndikimin e deklaratave të Wanda Narës.
“Wanda tha se Interi duhet të blinte lojtarët më të mirë që të shënonte Icardi. Ishte shkatërruese, një bombë,” ka rrëfyer Spalletti. “Të nesërmen në mëngjes disa lojtarë erdhën në zyrën time. Nuk mund të shtiresha sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Dobësia e kapitenit tonë quhej Wanda dhe po na çonte në tatëpjetë. Duhej të shmangia luftën në dhomën e zhveshjes.”
Sipas tij, zgjidhja ishte që Icardi të kërkonte falje dhe të sqaronte situatën me skuadrën, por sulmuesi nuk pranoi.
“I thashë të kërkonte ndjesë dhe të shpjegohej. Ai refuzoi, duke thënë se kishte folur prokurorja e tij, jo bashkëshortja. Nuk kisha zgjidhje tjetër,” kujton Spalletti.
Megjithatë, koha duket se ka shuar tensionet. Pas gjithë asaj historie, Luciano Spalletti dhe Wanda Nara janë takuar sërish në Milano, këtë herë larg polemikave dhe të dy me buzëqeshje.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: