Ndeshje spektakolare me gjashtë gola në Rrogozhinë, Egnatia mposht Teutën 4-2

Ndeshje spektakolare me gjashtë gola në Rrogozhinë, Egnatia mposht Teutën 4-2

21:08, 09/03/2026

Egnatia triumfoi me rezultatin 4-2 ndaj Teuta Durrës në një ndeshje spektakolare të luajtur në ‘Arena Egnatia’, duke dhuruar gjashtë gola dhe emocione deri në minutat e fundit.

Skuadra mike kaloi e para në avantazh në minutën e 25-të. Pas një goditjeje këndi, në zonë u krijua një rrëmujë dhe Zhongo përfitoi nga situata për të dërguar topin në rrjetë, duke zhbllokuar rezultatin për Teutën.

Egnatia reagoi në minutën e 39-të, kur një gabim i portierit Selmani, të cilit i shpëtoi topi nga duart, u shfrytëzua nga vendasit për të barazuar shifrat në 1-1. Pak çaste para përfundimit të pjesës së parë, në minutën e tretë shtesë, Fangaj shërbeu për Adjesën dhe sulmuesi nuk gaboi përballë portës, duke përmbysur rezultatin në 2-1 për ekipin e Rrogozhinës.

Në fillimin e pjesës së dytë, Teuta arriti të rikthehej në lojë. Pas një penalltie të akorduar me ndihmën e VAR-it për një ndërhyrje ndaj Votlajt, Maçolli u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën e 53-të dhe barazoi rezultatin në 2-2.

Megjithatë, Egnatia reagoi sërish në pjesën e fundit të ndeshjes. Në minutën e 78-të, Buriç u shkëput në zonë dhe me një goditje të saktë me kokë dërgoi topin në rrjetë, duke rikthyer avantazhin për vendasit.

Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, Egnatia vulosi gjithçka në kohën shtesë. Në minutën e 90+3, Fernando realizoi nga pika e penalltisë, duke shënuar golin e katërt dhe duke vendosur rezultatin përfundimtar 4-2 për vendasit.

 

Një fitore e rëndësishme për Egnatian, që pas këtij suksesi vazhdon të mbetet shumë pranë kreut të renditjes në Superiore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco