Hernán Crespo shkarkohet nga Sao Paulo pas eliminimit në kampionatin shtetëror

Hernán Crespo shkarkohet nga Sao Paulo pas eliminimit në kampionatin shtetëror

20:35, 09/03/2026

Hernán Crespo nuk është më trajner i São Paulos. Klubi brazilian vendosi të ndërpresë bashkëpunimin me teknikun argjentinas pas eliminimit në gjysmëfinalen e kampionatit shtetëror përballë rivalëve të Palmeirasit.

Vendimi u bë i ditur përmes një komunikate zyrtare të klubit, e cila u publikua të hënën. Në deklaratë theksohet se drejtuesit e Sao Paulos kanë vendosur të mbyllin menjëherë bashkëpunimin me Crespon, duke i dhënë fund kështu aventurës së tij të dytë në pankinën e ekipit të njohur brazilian.

Sipas njoftimit, bashkë me trajnerin largohen edhe disa pjesëtarë të stafit teknik. Klubi konfirmoi se do të largohen gjithashtu ndihmëstrajnerët Juan Branda dhe Victor López, përgatitësit atletikë Federico Martinetti dhe Leandro Paz, si dhe trajneri i portierëve Gustavo Nepote.

Rezultatet e fundit dhe eliminimi nga Palmeiras në gjysmëfinale duket se kanë qenë vendimtarë për këtë vendim të drejtuesve të klubit. Megjithatë, sipas mediave braziliane, në prapaskenë kanë ndikuar edhe disa pakënaqësi të tjera lidhur me mënyrën e punës së trajnerit, veçanërisht stërvitjet e konsideruara shumë të shkurtra dhe numri i madh i ditëve të pushimit të dhëna skuadrës.

Kështu përfundon një tjetër kapitull për ish-sulmuesin e njohur argjentinas, i cili në karrierën e tij si futbollist ka qenë një nga golashënuesit më të spikatur të futbollit evropian dhe të kombëtares së Argjentinës. Tani mbetet për t’u parë se cili do të jetë destinacioni i radhës për Crespon, ndërsa Sao Paulo do të nisë kërkimet për një trajner të ri që do të marrë drejtimin e ekipit në vazhdim të sezonit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco