Futbollistët e Kombëtares së Shqipërisë, që aktivizohen në kampionatet europiane, kaluan një tjetër fundjavë pozitive, duke qenë protagonistë me gola dhe paraqitje të mira për skuadrat e tyre.
Një nga emrat më të spikatur ishte Qazim Laçi. Mesfushori shqiptar rezultoi vendimtar për Rizespor në fitoren 1-0 ndaj Antalyaspor. Laçi shënoi golin e vetëm të ndeshjes nga pika e penalltisë në minutën e 10-të, duke i siguruar skuadrës së tij tri pikë shumë të rëndësishme.
Protagonist në Rusi ishte edhe Nazmi Gripshi. Mesfushori realizoi golin e parë në suksesin 2-1 të Rubin Kazan ndaj Krasnodar, duke shënuar në minutën e 24-t. Për paraqitjen e tij të mirë gjatë gjithë ndeshjes, Gripshi u vlerësua në fund edhe me çmimin e lojtarit më të mirë të takimit.
Një ndeshje shumë të mirë zhvilloi edhe Taulant Seferi me fanellën e Bodrumspor në sfidën spektakolare kundër Erokspor, që përfundoi 4-3. Sulmuesi shqiptar realizoi një gol nga penalltia në minutat e fundit të ndeshjes dhe dha gjithashtu asistin për golin e dytë të skuadrës së tij.
Në Belgjikë, protagonist ishte edhe Arbnor Muja, i cili shënoi në fitoren 2-1 të St. Truiden ndaj Cercle Brugge. Futbollisti shqiptar zhbllokoi rezultatin në minutën e 24-t, duke realizuar golin e parë të ndeshjes.
Ndërkohë, këtë javë si titullarë me ekipet e tyre u aktivizuan edhe Thomas Strakosha, Arlind Ajeti, Ardian Ismajli, Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Rey Manaj dhe Myrto Uzuni.
Nga stoli u hodhën në fushë gjatë ndeshjeve edhe Berat Gjimshiti dhe Nedim Bajrami, duke plotësuar një tjetër fundjavë aktive për legjionarët shqiptarë në Europë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: