Debati mes kandidatëve për presidencën e Barcelona nisi me polemika të forta pas deklaratave të fundit të Xavi Hernández-it në një intervistë për La Vanguardia. Ish-trajneri i Barcelonës kishte deklaruar se Lionel Messi nuk u rikthye në klub sepse nuk e dëshironte Joan Laporta, duke kritikuar gjithashtu ashpër edhe Alejandro Echevarría-n për rolin e tij brenda klubit.
Laporta ishte i pari që reagoi gjatë debatit dhe nuk kurseu kritikat ndaj ish-lojtarit dhe ish-trajnerit të Barcelonës. Presidenti katalanas u shpreh se deklaratat e Xavi-t e kishin surprizuar dhe lënduar.
“Më ka habitur dhe më ka dhembur. Të jesh president i Barcelonës është shumë e vështirë, sepse duhet të marrësh vendime të vështira, siç ishte edhe shkarkimi i Xavit. Faktet më tregojnë se kisha të drejtë, sepse me të do të vazhdonim të humbisnim. E kuptoj që ai është i zhgënjyer, por me të njëjtët lojtarë që ai kishte dhe humbiste, tani Flick fiton”, deklaroi Laporta, duke iu referuar trajnerit aktual të ekipit, Hansi Flick.
Laporta shtoi gjithashtu se i vjen keq që Xavi, sipas tij, është përdorur për qëllime politike. “Më dhemb fakti që ai ka sulmuar Alejandro Echevarría-n për të më goditur mua. Pikërisht Echevarría dhe Rafael Yuste kanë qenë ndër ata që e kanë mbrojtur më shumë Xavin. Ai është përdorur nga Víctor Font, i cili qëndron pas tij dhe kërkon të dëmtojë procesin”, theksoi presidenti.
Nga ana tjetër, vetë Víctor Font mbështeti deklaratat e Xavit, duke i cilësuar ato si një akt guximi. Sipas tij, shumë tifozë të Barcelonës janë të zhgënjyer nga situata aktuale në klub, ku, sipas Font, konfliktet e brendshme dhe mungesa e transparencës kanë krijuar përçarje.
Sa i përket Echevarría-s, Laporta e mbrojti duke theksuar se ai është një person i beseuar për çështjet që lidhen me ligën dhe federatën. Presidenti shtoi se ai ka një bashkëpunim shumë të mirë me drejtorin sportiv Deco dhe se është normale që një president të ketë një rreth të ngushtë bashkëpunëtorësh për të zgjidhur problemet e klubit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: