Tenisti italian, Jannik Sinner, vazhdon rrugëtimin e tij të suksesshëm në turneun prestigjioz Indian Wells Masters, në Kaliforni. Numri dy i botës arriti të kualifikohej në raundin e 1/8-ave pasi mposhti kanadezin Denis Shapovalov me rezultatin e pastër 6-3, 6-2.
Ndeshja nuk nisi në mënyrën më të mirë për italianin, i cili pati disa vështirësi në fillim. Megjithatë, Sinner reagoi shpejt dhe mori kontrollin e lojës. Momenti vendimtar erdhi në setin e dytë, kur ai arriti t’i merrte shërbimin kundërshtarit që në gemin e parë dhe më pas e ruajti avantazhin deri në fund të takimit.
Me këtë fitore, Sinner vazhdon të mbajë gjallë shpresat për të fituar për herë të parë në karrierë titullin në shkretëtirën kaliforniane. Në raundin tjetër, tenisti italian do të përballet me fituesin e ndeshjes mes amerikanit Tommy Paul dhe talentit të ri brazilian João Fonseca.
Ndërkohë, numri katër i botës, gjermani Alexander Zverev, pati shumë më tepër vështirësi për të siguruar kualifikimin. Ai arriti të mposhtte amerikanin Brandon Nakashima, aktualisht numri 30 në renditjen botërore, pas një ndeshjeje të gjatë dhe të luftuar që zgjati 2 orë e 31 minuta. Zverev fitoi me rezultatin 7-6 (7/2), 5-7, 6-4, duke siguruar edhe ai një vend në fazën tjetër të turneut.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: