Kandidati për presidencën e Barcelona, Víctor Font, ka reaguar ashpër ndaj Joan Laportës gjatë një debati publik, duke kritikuar mënyrën se si u menaxhua largimi i Lionel Messit nga klubi dhe duke komentuar deklaratat e fundit të ish-trajnerit Xavi Hernández.
Font vuri në dyshim besueshmërinë e Laportës dhe mbrojti qëndrimet e dy figurave historike të klubit. Sipas tij, deklaratat e Xavit për situatën e Messit nuk janë të rastësishme dhe përkojnë me mendimin e vetë futbollistit argjentinas. “Kujt duhet t’i besoni? Messi mendon njësoj si Xavi”, deklaroi Font, duke shtuar se në të ardhmen edhe Messi do të shpjegojë publikisht versionin e tij për atë që ndodhi në klub.
Biznesmeni akuzoi Laportën se kishte gënjyer kur kishte premtuar se Messi do të vazhdonte te Barcelona. Sipas tij, në realitet nuk kishte ekzistuar një plan i qartë dhe i realizueshëm për rinovimin e kontratës së ‘yllit’ argjentinas.
Font kritikoi gjithashtu përpjekjet e mëvonshme për të kompensuar largimin e lojtarit që ai e konsideron “më të mirin në historinë e futbollit”. Sipas tij, ide si organizimi i një ndeshjeje nderi apo ngritja e një statuje për Messin nuk mund ta zëvendësojnë atë që ndodhi realisht. Ai i cilësoi këto iniciativa si “ndër gjërat më të trishtueshme”.
Në fund, Font theksoi se Barcelona u përket anëtarëve të saj dhe kritikoi Laportën për mënyrën se si, sipas tij, ndan “kartat e barcelonistit të mirë apo të keq”. Sipas kandidatit për president, situata aktuale ka bërë që figura të mëdha si Messi dhe Xavi të kritikohen padrejtësisht nga disa sektorë të rrethit të klubit katalanas.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: