Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, do të mungojë në dy ndeshjet e ardhshme të skuadrës së tij për shkak të një pezullimi. Tekniku katalanas është ndëshkuar pasi mori kartonin e tij të gjashtë të verdhë në këtë sezon gjatë ndeshjes së FA Cup kundër Newcastle United.
Si pasojë e këtij ndëshkimi, Guardiola nuk do të jetë në pankinë në përballjen e Premier League ndaj West Ham United, si dhe në ndeshjen çerekfinale të FA Cup.
Episodi që çoi në kartonin e verdhë ndodhi në stadiumin ‘St James’ Park’, kur Guardiola protestoi ndaj gjyqtarit të katërt, Lewis Smith. Trajneri reagoi pas një ndërhyrjeje të Kieran Trippier ndaj Jérémy Doku, një situatë që u gjykua nga arbitri kryesor Sam Barrott.
Sipas rregullave të reja të vendosura këtë sezon në futbollin anglez, marrja e kartonit të gjashtë të verdhë për trajnerët sjell automatikisht një pezullim prej dy ndeshjesh.
Pas ndeshjes, Guardiola reagoi me ironi për vendimin.
“Do t’ju them një gjë: ne kemi thyer pothuajse çdo rekord në këtë vend. Tani kemi edhe rekordin për trajnerin me më shumë kartonë të verdhë. Më pëlqejnë rekordet dhe tani kam edhe këtë”, deklaroi ai me humor.
Trajneri katalanas shtoi gjithashtu se do ta shfrytëzojë këtë pezullim si një lloj “pushimi” të detyruar.
“Meqë jam pezulluar për dy ndeshje, atëherë do të jem me pushime gjatë kësaj kohe. Ka disa gjëra që ende nuk i kuptoj edhe pas dhjetë vitesh. Dua ta rishikoj aksionin, por sigurisht që gjithmonë do ta mbroj Doku-n dhe çdo skuadër që drejtoj”, përfundoi Guardiola.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: