Ish-trajneri i Barcelonës, Xavi Hernández, ka dhënë një intervistë për gazetën ‘La Vanguardia’, ku ka folur për disa çështje që lidhen me klubin katalanas, për të ardhmen e tij dhe për rikthimin e dështuar të Lionel Messi-t te Barcelona.
Vetëm një javë para zgjedhjeve, ish-tekniku ‘blaugrana’ deklaron se Messi nuk u kthye te Barcelona për shkak të presidentit Joan Laporta, i cili nuk donte të hynte në një konflikt me të.
“Leo ishte i firmosur dhe presidenti e anuloi marrëveshjen”, thotë Xavi, duke u pozicionuar në anën e Víctor Font.
Duke folur për Barcelonën e sotme, të drejtuar nga trajneri Hansi Flick, Xavi thekson:
“Ne vendosëm baza shumë të mira që ky projekt të kishte vazhdimësi. Shtylla kurrizore e ekipit përbëhet nga lojtarë si Lamine Yamal, Pedri, Alejandro Balde, Pau Cubarsí dhe Fermín López. Ata janë futbollistë te të cilët ne besuam. Kjo është një nga trashëgimitë për të cilat ndihem më krenar, përtej dy titujve që fituam.”
Marrëdhënia me lojtarët
“Ne ishim si një familje në dhomat e zhveshjes dhe gjithmonë kam qenë i drejtpërdrejtë me futbollistët. Sot shikon lojtarë si Fermín, Yamal, që për mua është tashmë më i miri në botë, apo Raphinha, të cilit ia ndryshuam pozicionin që të sulmonte më shumë thellësinë.”
Gabimet
Xavi pranon se edhe ai ka bërë gabime:
“Sigurisht që kemi bërë gjëra gabim dhe kemi bërë shumë autokritikë, si unë personalisht, ashtu edhe me stafin. Nëse do ta përmblidhja shkurt: kërkesa ime ndaj klubit ra me kalimin e kohës. Kur ne kishim kontrollin, skuadra po përmirësohej. Kur filluan të vendosnin të tjerët, ekipi, jo rastësisht, ra.”
Konflikti me Laportën
Sipas Xavit, Laporta e shkarkoi pa i thënë të vërtetën:
“Presidenti hoqi dorë nga unë si trajner pa më thënë të vërtetën, i ndikuar nga një person që mendoj se është mbi të: Alejandro Echevarría. Në fakt, ai ishte personi që vendosi largimin tim.”
Rikthimi i dështuar i Messi-t
Xavi zbulon gjithashtu prapaskenat e rikthimit të mundshëm të Messit në vitin 2023:
“Presidenti nuk thotë të vërtetën edhe në këtë rast. Leo ishte i firmosur. Në janar të vitit 2023, pas fitimit të Kupës së Botës, ne u kontaktuam dhe ai më tha se kishte dëshirë të kthehej. Folëm deri në mars dhe i thashë se, sapo të më jepte miratimin, do t’ia përcillja presidentit. Laporta filloi negociatat me babanë e tij dhe kishim edhe dritën jeshile nga liga, por ishte vetë presidenti që e anuloi gjithçka.”
Xavi përfundon:
“Interesi im është të tregoj të vërtetën. Leo nuk erdhi te Barcelona sepse presidenti nuk e donte këtë gjë, jo për shkak të ligës apo sepse babai i tij kërkoi më shumë para. Kjo është e pavërtetë. Ishte presidenti dhe njerëzit e tij që vendosën ta ndalonin, sepse mendonin se Messi do t’ia vështirësonte menaxhimin e pushtetit.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: