Thiago Motta, kandidat për të zëvendësuar Tudor-in te Tottenhami, sa kursen Juventusi?

Thiago Motta, kandidat për të zëvendësuar Tudor-in te Tottenhami, sa kursen Juventusi?

14:17, 07/03/2026

Situata e trajnerit Igor Tudor te Tottenham Hotspur është bërë shumë e vështirë pas rezultateve negative në javët e fundit. Skuadra londineze ka pësuar tri humbje radhazi, të gjitha në derbi kundër Arsenalit, Fulhamit dhe Crystal Palace, duke rënë shumë pranë zonës së rrezikut në renditjen e Premier League-s.

Aktualisht Tottenhami ndodhet vetëm një pikë larg zonës së rënies nga kategoria dhe presioni mbi teknikun kroat po rritet gjithnjë e më shumë. Edhe pse shkarkimi nuk duket i menjëhershëm, në mediat angleze kanë nisur të qarkullojnë emrat e mundshëm që mund ta zëvendësojnë në pankinë.

Një nga kandidatët e përmendur është Thiago Motta. Situata krijon një lidhje interesante me Juventusin, pasi më herët Tudor kishte marrë pikërisht vendin e Motta-s në pankinën e klubit bardhezi. Tani mund të ndodhë e kundërta, me Motta-n që mund të zëvendësojë kroatin në Londër.

Megjithatë, ish-trajneri i Juventusit nuk është zgjedhja kryesore e drejtuesve të Spurs. Klubi londinez po shqyrton edhe disa alternativa që kanë më shumë përvojë në futbollin anglez, si Sean Dyche, Ryan Mason dhe Robbie Keane. Një tjetër emër që përmendet është edhe Roberto De Zerbi, i cili aktualisht është i lirë pas përfundimit të aventurës së tij me Olympique de Marseille.

Një lëvizje e mundshme e Motta-s drejt Premier League do të kishte ndikim edhe tek Juventusi. Trajneri italo-brazilian ka ende kontratë me klubin torinez deri më 30 qershor 2027, me një pagë prej rreth 5.5 milionë eurosh bruto në sezon, ndërsa stafit teknik i shtohen edhe rreth 2.5 milionë euro të tjera. Në total, nëse Motta dhe stafi i tij do të ndërprisnin kontratën për të nisur një aventurë të re në Angli, Juventusi mund të kursente rreth 11 milionë euro bruto.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco