Ish-sulmuesi i Real Madrid, Gareth Bale, ka zbuluar disa detaje nga kohët e tij në Madrid, duke krahasuar metodat e punës së trajnerëve Zinédine Zidane dhe Carlo Ancelotti.
Bale, që gjatë karrierës së tij regjistroi 258 paraqitje me Realin para se të tërhiqej në 2022, tregoi se, megjithëse Zidane ishte shumë i respektuar në dhomën e zhveshjes për karrierën e tij si lojtar, ai personalisht ishte më i impresionuar nga qasja e Ancelotti-t.
“Zidane ishte shumë i respektuar për atë që ishte si lojtar,” tha Bale në programin Stick to Football. “Por mënyra e menaxhimit nga Carlo ishte më e mira. Edhe kur nuk luaje, ai të trajtonte sikur të ishte miku i tij më i mirë. Ai dinte të bënte të gjithë të ndiheshin mirë dhe të nxirrte më të mirën nga çdo lojtar.”
Bale theksoi gjithashtu se roli i trajnerit te Real Madridi shkon përtej thjesht taktikes: “Lë të kuptohet se nuk është vetëm të jesh një teknik, duhet ta dish si të menaxhosh lojtarët. Taktika ekziston, por nuk duhet të jetë gjithçka.”
Për sa i përket Zidane, Bale shtoi se ai nuk u kushtonte shumë vëmendje detajeve taktike: “Bënim minimumin: stërvitje, posedim topi, goditje në portë dhe pak për mbrojtjen. Por gjithsesi, të gjithë e respektonin për atë që kishte bërë si lojtar.”
Ndërkohë, Zidane qëndron jashtë pankinës së Real Madridit që nga 2021 dhe konsiderohet kandidat kryesor për të marrë drejtimin e kombëtares franceze pas Didier Deschamps, ndërsa Carlo Ancelotti do të marrë pjesë në Botërorin e ardhshëm si trajner i Brazil.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: