Federata Turke e Futbollit ka vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me trajnerin italian, Vincenzo Montella, pavarësisht eliminimit të hershëm të kombëtares nga Botërori 2026.
Turqia u largua nga turneu pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para të fazës së grupeve, rezultat që i kushtoi skuadrës eliminimin përpara përfundimit të grupit. Megjithatë, drejtuesit e futbollit turk nuk kanë ndërmend të ndryshojnë drejtimin teknik të ekipit.
Presidenti i Federatës Turke të Futbollit, Ibrahim Haciosmanoglu, u dha fund spekulimeve për një shkarkim të mundshëm të Montella-s, duke deklaruar se federata vazhdon t’i besojë plotësisht trajnerit italian.
“Do të vazhdojmë ta mbështesim trajnerin tonë. Kjo nuk është një skuadër klubesh, ku mungesa e vazhdimësisë sjell ndryshime të shpeshta. Gjatë dy ditëve të fundit janë përmendur emra të ndryshëm trajnerësh, por ne nuk do të ndryshojmë kurs. Nuk do të zëvendësojmë njerëzit me të cilët kemi punuar deri tani me këdo që na del përpara”, deklaroi Haciosmanoglu.
Montella kishte arritur një sukses të rëndësishëm duke e rikthyer Turqinë në Kupën e Botës pas 24 vitesh mungesë, një arritje që duket se ka peshuar në vendimin e federatës për t’i rinovuar besimin.
Turqia do të zhvillojë edhe ndeshjen e fundit të Grupit D në natën mes së enjtes dhe së premtes, ku do të përballet me Shtetet e Bashkuara, në një sfidë që do të shërbejë kryesisht për prestigj, pasi kualifikimi në fazën tjetër nuk është më i mundur.
© SYRI.net