Një javë para se Barcelona të vizitojë për herë të dytë këtë sezon stadiumin “St. James’ Park”, situata fizike te Newcastle United nuk është aspak ideale. Trajneri Eddie Howe ka konfirmuar se një virus po qarkullon brenda skuadrës, duke krijuar shqetësim serioz në prag të ndeshjes së Champions League.
“Është e qartë që ka një virus në skuadër”, deklaroi tekniku anglez para sfidës së radhës në Premier League kundër Manchester United. I fundit që është prekur është sulmuesi gjerman, Nick Woltemade, i transferuar në verë për 80 milionë euro si zëvendësues i Alexander Isak. Sipas Howe, lojtari “është sëmurë dhe është stërvitur që nga e shtuna”, por do të vlerësohet deri në momentin e fundit për ndeshjen e radhës.
Në fundjavë, gjatë humbjes 2-3 ndaj Evertonit, mesfushori Jacob Ramsey u pa duke vjellë në fushë dhe u zëvendësua në pjesën e dytë, ashtu si edhe Woltemade. Megjithatë, Ramsey ka rifilluar stërvitjen dhe pritet të jetë në dispozicion për sfidën ndaj Manchester United.
Situata mbetet e ndërlikuar edhe për disa lojtarë të tjerë. Tino Livramento është drejt rikuperimit, por ndeshja e radhës mund të vijë shumë shpejt për të. Ndërkohë, Lewis Miley po lufton me kohën për të qenë gati për ndeshjen e kthimit në “Camp Nou”.
Dy mungesa të sigurta për përballjen me Barcelonën janë Bruno Guimarães dhe Fabian Schär, të cilët pritet të rikthehen vetëm në muajin prill pas dëmtimeve respektive. Një goditje e fortë për Newcastle-in, që do të përballet me një Barcelonë të fortë në një moment delikat të sezonit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: