Një ndërhyrje e ashpër e Antonio Rüdiger-it ndaj Diego Rico-s gjatë humbjes së Real Madridit ndaj Getafes (0-1) ka shkaktuar një reagim të fortë në Gjermani. Në minutën e 27-të, mbrojtësi gjerman hodhi gjurin përpara kundër një rivali tashmë në tokë, duke e goditur në fytyrë, një veprim që gazetat gjermane e kanë cilësuar si pothuajse kriminal.
‘Bild’ thekson se kjo nuk ishte thjesht një ndërhyrje e fortë, por “pothuajse atentat”, duke lënë “gjithë botën pa fjalë” dhe duke rihapur debatin mbi sjelljen e Rüdiger-it në situata ekstreme. Gazeta thekson se ai “nuk di të kontrollojë veten, kështu nuk mund të shkojë në Botëror”.
Trajneri i përfaqësueses gjermane, Julian Nagelsmann, ka theksuar se askush nuk është i pazëvendësueshëm dhe se “sjelljet që shkelin rregullat bazë të sportit në mënyrë të përsëritur nuk pranohen”. ‘Bild’ gjithashtu kujton se mbrojtja e Gjermanisë ka alternativa të forta, dhe mungesa e Rüdiger-it nuk do të përbënte problem sportiv.
Gazeta rikujton një seri episodesh të diskutueshme të Rüdiger-it, që nga gjestet provokuese deri te ndëshkimet dhe talljet ndaj kundërshtarëve, duke krijuar një histori që sipas tyre tejkalon çdo tolerancë. Përmbledhja e opinionit gjerman është e qartë: “Kush nuk ndryshon, duhet të qëndrojë në shtëpi”, duke reflektuar zemërimin pas veprimeve të papërshtatshme të mbrojtësit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: