Cristiano Ronaldo nuk është larguar nga Arabia Saudite për t’u rikthyer në Spanjë pas sulmit iranian ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Riad. Lajmi që qarkulloi në mëngjes nga Madridi, sipas të cilit ylli portugez ishte nisur drejt Europës, nuk ka gjetur konfirmim.
Avioni privat i sulmuesit ishte parë duke u ulur në Madrid pas nisjes nga aeroporti i Riadit, çka nxiti zërat për një largim të mundshëm të CR7 nga Arabia Saudite për arsye sigurie. Megjithatë, në bord nuk ndodhej vetë lojtari. Të martën pasdite, Ronaldo u stërvit rregullisht me skuadrën e Al-Nassr, duke hedhur poshtë spekulimet për një “arratisje”.
Avioni privat i tij (LX-GOL / SVW7B, Bombardier Global Express), me vlerë rreth 70 milionë euro, ishte nisur nga Riadi të hënën në mbrëmje dhe u ul në Madrid në orën 01:32 të mëngjesit. Prania e mjetit në kryeqytetin spanjoll bëri që të përhapen thashetheme për një largim të mundshëm të futbollistit nga kërcënimi i dronëve iranianë.
Mjeti ajror ka autonomi për fluturime të gjata dhe mund të transportojë deri në 19 persona. Së fundmi ishte përdorur nga Georgina Rodríguez për të udhëtuar drejt Milanos gjatë javës së modës.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: