Milani i drejtuar nga Massimiliano Allegri po punon për përforcimin e repartit ofensiv dhe një nga emrat e rinj në listën e dëshirave është ai i Darwin Núñez. Sipas raportimeve nga media italiane, sulmuesi uruguaian shihet si një profil i rëndësishëm për të rritur cilësinë në majën e sulmit.
26-vjeçari, aktualisht pjesë e Al-Hilal, ka kontratë deri në qershor 2028. Ai u transferua në Arabinë Saudite në gusht 2025 nga Liverpooli për rreth 53 milionë euro. Me kombëtaren e Uruguait, Núñez numëron 36 paraqitje dhe 13 gola, duke konfirmuar rolin e tij si një nga sulmuesit kryesorë të përfaqësueses.
Në muajt e fundit është përfolur edhe një mundësi huazimi drejt Fenerbahçe, por pista italiane mund të bëhet konkrete nëse kuqezinjtë vendosin të avancojnë me ofertë zyrtare.
Megjithatë, Milani nuk është i vetëm në këtë garë. Interesim për Núñez kanë shfaqur edhe Newcastle United dhe Chelsea, çka pritet ta bëjë konkurrencën të fortë në merkato. Në listën e alternativave për sulmin, drejtuesit kuqezi po vlerësojnë edhe emra si Serhou Guirassy, Mateo Retegui dhe Nicolas Jackson.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Milani do të arrijë të bindë klubin saudit dhe vetë lojtarin për një rikthim në futbollin europian, në një operacion që pritet të jetë i komplikuar financiarisht.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: