Ndryshim i menjëhershëm në pankinën e Flamengos. Klubi kuqezi ka arritur marrëveshje me trajnerin portugez Leonardo Jardim, i cili pritet të mbërrijë në Rio de Janeiro për të nisur zyrtarisht aventurën e re. Ai merr vendin e Filipe Luís, i shkarkuar në orët e para të ditës, pavarësisht fitores bindëse 8-0 ndaj Madureiras në gjysmëfinalen e Kampionatit Carioca. Marrëveshja parimore do të jetë e vlefshme deri në fund të vitit 2027.
Sipas medieve braziliane, bisedimet me Jardim-in kishin avancuar përpara shkarkimit të ish-trajnerit. Akordi ishte mbyllur që të premten, ndërsa miratimi përfundimtar kishte ardhur të dielën, çka bëri që drejtuesit ta konfirmonin përkohësisht Filipe Luís-in për ndeshjen ndaj Madureiras. Takimi i parë i Jardim-it me skuadrën do të zhvillohet në qendrën stërvitore “Ninho do Urubu”.
I lindur në vitin 1974, Jardim u bë i njohur në arenën ndërkombëtare me Monaco-n, ku mes viteve 2014 dhe 2020 fitoi titullin e Ligue 1 në sezonin 2016-17, duke ndërprerë dominimin e Paris Saint-Germain dhe duke arritur deri në gjysmëfinalen e Champions League. Në atë periudhë ai ndihmoi në rritjen e talenteve si Kylian Mbappé.
Në vitin 2025 drejtoi Cruzeiro-n, me 55 ndeshje, 26 fitore dhe vendin e tretë në Brasileirão-s, duke siguruar kualifikimin direkt në Libertadores 2026. Tani ai është gati për sfidën e re, ndërsa Flamengo synon ta ketë në pankinë që në finalen e Carioca-s kundër Fluminense-s në “Maracanã”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: