Mjekët francezë, te të cilët është kontrolluar Kylian Mbappé, kanë konfirmuar diagnozën e bërë më herët nga stafi mjekësor i Real Madridit për shqetësimet që sulmuesi nga Bondy po ndien në gju. Sipas ekzaminimeve të kryera në Francë, lojtari vuan nga një ndrydhje në gjurin e majtë, duke përforcuar vlerësimin fillestar të klubit spanjoll.
Në njoftimin zyrtar të publikuar nga Real Madridi dy orë para ndeshjes kundër Getafes, thuhet: “Pas testeve të kryera nga mjekë specialistë francezë, nën mbikëqyrjen e Shërbimeve Mjekësore të Real Madridit, konfirmohet diagnoza e ndrydhjes në gjurin e majtë dhe përshtatshmëria e trajtimit konservativ që po ndiqet. Lojtari mbetet në pritje të ecurisë”.
Klubi nuk ka vendosur një afat të saktë për rikthimin e Mbappé-së, pasi gjithçka do të varet nga progresi i tij dhe ndjesitë që do të ketë gjatë rikuperimit. Trajneri Álvaro Arbeloa theksoi se situata do të vlerësohet ditë pas dite, duke shtuar se synimi është që sulmuesi të rikthehet vetëm kur të jetë 100% gati.
Kjo është hera e parë që klubi publikon një raport zyrtar për gjendjen fizike të Mbappé-së që nga e mërkura e kaluar, kur ai mungoi në sfidën kundër Benfica-s për shkak të përkeqësimit të shqetësimeve në gju. Kjo është hera e tretë këtë sezon që francezi detyrohet të ndalet, pasi në fillim të dhjetorit kishte munguar edhe ndaj Manchester City-t.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: