‘Është një bishë!’ Bozhidar Saraboyukov po mahnit botën e atletikës

‘Është një bishë!’ Bozhidar Saraboyukov po mahnit botën e atletikës

21:31, 02/03/2026

“Është një bishë!”, shkruhet për të në rrjetet sociale. Dhe nuk është çudi, sepse bota e atletikës po mbetet e habitur nga sensacioni i ri bullgar, Bozhidar Saraboyukov. Gjiganti gati dy metra i gjatë, vetëm 21 vjeç, po prek kufij të paeksploruar në historinë e këtij sporti. Një forcë e natyrës me fytyrë djaloshi, që feston çdo kërcim të madh, horizontal apo vertikal, me një salto plot gëzim.

Është e rrallë që një atlet i garave të kërcimeve të kombinojë dy disiplina, por tri është një heroizëm i rezervuar vetëm për të zgjedhurit. Saraboyukov është një prej tyre dhe këtë e ka dëshmuar që në moshë të re.

Në vitin 2022 u shpall nënkampion bote U20 në kërcim së larti në Cali (Kolumbi), ndërsa një vit më parë fitoi dy medalje argjendi në kërcim së gjati dhe kërcim trehapësh në Europianin e të rinjve në Jerusalem.

Vetëm 19 vjeç siguroi pjesëmarrjen në kërcim së gjati në Paris 2024 Olympic Games, duke mbetur vetëm tre centimetra larg finales së 12 më të mirëve.

Shpërthimi i tij erdhi në Europianin indoor të Apeldoorn 2025, ku fitoi arin e parë në nivel të rriturish, duke lënë pas medalistin olimpik italian, Mattia Furlani, dhe spanjollin Lester Lescay. Po atë vit u rendit i pesti në Botërorin e hapur në Tokyo.

Megjithatë, fillimi i vitit 2026 ka qenë edhe më mbresëlënës. Në kërcim së gjati ai kryeson renditjen botërore pasi arriti 8.45 metra në mitingun e Beogradit, më 11 shkurt. Në kampionatin bullgar, fundjavën e kaluar, fitoi kërcimin trehapësh me rekord personal 16.61 m, përpara se të triumfonte edhe në kërcimin së larti dhe së gjati.

Në kërcim së larti, disiplinë ku nuk garonte prej janarit 2023, ai përmirësoi rekordin personal nga 2.20 m në 2.28 m, duke u renditur i 11-ti në botë për vitin 2026, vetëm pesë centimetra pas liderit, rusit Danil Lysenko.

“Ëndrrat e mia janë më të mëdha. Gjithmonë kam dashur një medalje olimpike dhe do ta ndjek deri në fund. Nuk jam kënaqur kurrë me pak”, është shprehur ai më herët.

Saraboyukov duket i destinuar të ndjekë gjurmët e legjendave bullgare si Hristo Markov, Yordanka Donkova dhe Stefka Kostadinova.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco