Arne Slot, trajneri i Liverpoolit, ka shprehur shqetësimin e tij për stilin e lojës në Premier League, duke theksuar se shumë ndeshje “nuk janë argëtuese për t’u ndjekur”. Ai lidhi këtë fenomen me përqendrimin e ekipeve në aksionet e standardizuara, veçanërisht me shembullin e Mikel Artës dhe Arsenalit.
Slot vuri në dukje se ky trend është i dukshëm kryesisht në ligën angleze, ndërsa në kampionate të tjera, si Eredivisie, nuk i jepet kaq rëndësi situatave të ndaluara. “Në një ndeshje të Eredivisie shoh gola të anuluar dhe faulle ndaj portierëve dhe mendoj: ‘Sa diferencë!’”, tha trajneri holandez.
Ai shtoi se shumicën e ndeshjeve të Premier League nuk i ndjek për kënaqësi, por gjithmonë janë interesante për shkak të konkurrencës së madhe: “Ka shumë konkurrencë dhe kjo e bën ligën kaq të madhe”. Slot shprehu gjithashtu nostalgji për stilin e futbollit të Barcelonës para 10-15 vjetësh, kur tifozët mezi prisnin çdo ndeshje. Ai shqetësohet se ky stil loje mund të përhapet edhe në futbollin bazë, ku ekipet e moshave të reja mund të fokusohen te aksionet e ndaluara.
Analizat tregojnë se Arsenal ka arritur të realizojë 19 gola nga 27 goditje standarde këtë sezon, duke treguar një efektivitet të lartë dhe përqendrim maksimal të lojtarëve në zonën e vogël të portës. Kjo strategji e klubeve është bërë tashmë trend, me 10 ekipe që kanë shënuar mbi 10 gola nga situata të ndaluara gjatë sezonit 2025-26, me Arsenalin në krye, pesë gola përpara Newcastle United.
Përveç kësaj, Tony Pulis, ish-trajner i Stoke City, vuri në dukje disa muaj më parë rëndësinë e situatave të ndaluara, duke thënë se trajnerët kanë kuptuar se “nëse fiton ndeshje, tifozët do të jenë të kënaqur, pavarësisht kritikave nga jashtë”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: