Tottenham Hotspur vazhdon krizën në Premier League, pasi u mposht 2-1 nga Fulhami në “Craven Cottage”. Kjo ishte ndeshja e 10-të radhazi pa fitore për londinezët, duke barazuar një rekord negativ në histori të klubit.
Skuadra e drejtuar nga Igor Tudor u gjend në disavantazh që në minutën e 7-të, kur Harry Wilson realizoi me një goditje të fuqishme pas një aksioni të rrëmujshëm në zonë. VAR-i konfirmoi golin, pavarësisht protestave të Spurs. Para pushimit, Alex Iwobi dyfishoi shifrat me një goditje të saktë nga jashtë zone, duke thelluar krizën e miqve.
Në pjesën e dytë, Fulhami ishte pranë golit të tretë, por portieri Vicario mbajti gjallë shpresat e Tottenhamit. Me mbi 20 minuta nga fundi, Richarlison ngushtoi diferencën me kokë pas një krosimi të Archie Gray, por reagimi i Spurs rezultoi i pamjaftueshëm.
Me këtë humbje, Tottenhami mbetet në vendin e 16-të, vetëm katër pikë mbi zonën e rënies. Ndërkohë, Fulhami siguron ‘dopietën’ sezonale ndaj rivalit londinez dhe ngjitet në vendin e nëntë në renditje.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: