Golfisti italian, Andrea Pavan, 36 vjeç, pësoi lëndime të rënda pas një aksidenti të pazakontë në Afrikën e Jugut, vetëm disa ditë para fillimit të turneut ‘Open’.
Ngjarja ndodhi të mërkurën, në një shtëpi private në Stellenbosch, e cila ishte marrë me qira nga vetë Pavan. Sipas raportimeve, golfisti kishte thirrur ashensorin, por kur u hapën dyert, ai nuk e vuri re mungesën e kabinës dhe ra në boshllëk, duke përfunduar nga një lartësi prej dy deri në tri kate.
Burimet lokale konfirmojnë se Pavan pësoi lëndime serioze, veçanërisht në shpinë dhe shpatull, por nuk rrezikohet jeta e tij. Lajmi u publikua fillimisht në rrjetin social X nga profili Monday Q Info dhe më pas u konfirmua nga ‘The Athletic’. Një zëdhënës i DP World Tour njoftoi se Pavan u tërhoq nga turneu në Stellenbosch Golf Club për shkak të dëmtimeve, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Në përpjekje për të mbështetur trajtimin e tij, është krijuar një faqe GoFundMe, e cila tashmë ka mbledhur mbi 23,000 euro. Sipas faqes, Pavan ka pësuar ‘lëndime të rënda në shpatull dhe shpinë, duke përfshirë dëmtime serioze të shpatullës dhe fraktura në disa vertebra’. Ai ka kryer të paktën një operacion dhe do të ketë nevojë për trajtime dhe procedura të tjera mjekësore.
Pritet që Pavan të qëndrojë në Afrikën e Jugut ‘për disa javë, para se të mund të vlerësohet në mënyrë të sigurt për të udhëtuar drejt SHBA-së’. Fondet e mbledhura do të përdoren për të mbuluar trajtimin mjekësor të gjatë dhe për të mbështetur Pavan, bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: