Bodo/Glimt ka shkaktuar befasinë më të madhe të këtij edicioni në UEFA Champions League, duke eliminuar Interin në fazën “play-off” me rezultat të përgjithshëm 5-2 pas dy ndeshjeve.
Pjesa e parë u karakterizua nga ritëm i lartë dhe disa raste të mira për zikaltrit.
Në minutën e 28-të, Davide Frattesi provoi me kokë pas një këndoreje, por portieri reagoi saktë.
Pak më vonë, Piotr Zieliński tentoi nga distanca, me topin që kaloi pranë shtyllës.
Në krahun tjetër, Bodo/Glimt paralajmëroi me Håkon Evjen, por Yann Sommer ndërhyri me siguri.
Fraksioni i dytë solli goditjen vendimtare. Në minutën e 58-të, pas një goditjeje të ndalur nga Sommer ndaj Ole Blomberg, më i shpejti në zonë ishte Jens Petter Hauge, i cili shënoi për 1-0.
Interi pati shansin e artë në minutën e 69-të, por Manuel Akanji goditi shtyllën. Vetëm tre minuta më pas erdhi ndëshkimi: Evjen, i shërbyer nga Hauge, realizoi një gol të bukur për 2-0.
Zikaltrit reaguan me Alessandro Bastoni në minutën e 76-të, që shënoi për 2-1, por ishte tepër vonë për një përmbysje.
Me këtë triumf historik, Bodo/Glimt siguron kualifikimin dhe në fazën tjetër do të përballet me njërën mes Manchester City ose Sporting.
Një mbrëmje për t’u harruar për Interin dhe një kapitull i artë për norvegjezët.
Në takimet e tjera, Leverkusen barazoi pa gola me Olympiacon, duke u kualifikuar pasi kishte fituar 0-2 takimin e parë.
Edhe Newcastle kaloi më tej, duke eliminuar Qarabag.
Anglezët fituan 3-2 në shtëpi, teksa sfidën e parë në Qipro e kishin mbyllur me avantazhin e thellë 6-1.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: