Ish-trajneri i Italisë/ Prandelli beson te kualifikimi i Juves me Galatasarayn

Ish-trajneri i Italisë/ Prandelli beson te kualifikimi i Juves me Galatasarayn

18:57, 24/02/2026

Ish-trajneri i Italisë, Cesare Prandelli, është i bindur se Juventusi ka cilësinë dhe eksperiencën për të përmbysur humbjen 5-2 ndaj Galatasarayt në ndeshjen e kthimit të “play-off”-it në UEFA Champions League.

“Zonja e Vjetër” përballet me një mision shumë të vështirë pas disfatës në Stamboll, ku u ndëshkua rëndë në pjesën e dytë.

Për të çuar sfidën në shtesë, Juventusit i nevojiten tre gola diferencë, ndërsa katër për t’u kualifikuar drejtpërdrejt.

Në një intervistë për La Gazzetta dello Sport, Prandelli u shpreh optimist: “Të shënosh tre apo katër gola pa pësuar ndaj Osimhenit dhe shokëve të tij është e vështirë, por futbolli ka treguar se gjithçka është e mundur.

Nëse Juventusi shënon në 20 minutat e para, ndeshja ndryshon tërësisht nga ana psikologjike”.

Ai bëri edhe një krahasim të fortë, duke e cilësuar trajnerin Luciano Spalletti si “Cristiano Ronaldon” e kësaj skuadre: “Ai nuk zbret në fushë, por është njeriu me më shumë përvojë dhe personalitet”.

Herën e fundit që Juventusi realizoi një përmbysje të tillë në Champions ishte në sezonin 2018-2019, kur Cristiano Ronaldo shënoi tre gola ndaj Atlético Madrid për të siguruar kualifikimin me rezultatin e përgjithshëm 3-2.

Ndërkohë, bardhezinjtë kanë përpara edhe përballjen direkte me Romën në Serie A, ku aktualisht renditen në vendin e pestë, katër pikë larg zonës që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.

Sa i përket aspektit financiar – rreth 15 milionë euro për kualifikimin në 1/8-at dhe afro 60 milionë euro për një vend në katërshen e parë – Prandelli theksoi: “Trajneri bën vlerësime teknike, jo ekonomike. Paratë duhet të qëndrojnë jashtë diskutimit”.

Tashmë, gjithçka vendoset në 90 minuta që mund të përcaktojnë sezonin e Juventusit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco