Në prag të një ndeshjeje me tension të lartë për Real Madridin, protagonisti i konferencës për shtypin ishte portieri belg, Thibaut Courtois. ‘Gardiani’ madrilen foli hapur për polemikat e ditëve të fundit, duke iu përgjigjur drejtpërdrejt deklaratave të José Mourinho-s.
“Mourinho është Mourinho, ai mbron klubin dhe lojtarët e tij. Por më ka zhgënjyer fakti që përdoret festimi i Vinicius-it për të justifikuar një akt të pretenduar racizmi. Një gjë e tillë nuk mund të legjitimohet kurrë për shkak të një feste”, deklaroi Courtois, duke dalë në mbrojtje të brazilianit.
Portieri theksoi se klubi qëndron plotësisht në krah të Vinícius Júnior në lidhje me rastin ‘Prestianni’: “Ne jemi 100% me Vinin. Ai ka dëgjuar atë që ka dëgjuar, si edhe herë të tjera në të kaluarën. Ne i besojmë plotësisht.” Sa u përket masave disiplinore apo ndonjë pezullimi të mundshëm, Courtois ua la përgjegjësinë institucioneve përkatëse, duke nënvizuar se i takon UEFA-s të bëjë qartësinë e plotë.
Belgu dënoi ashpër edhe koret diskriminuese dhe fyerjet homofobike në stadiume: “Racizmi dhe homofobia janë të papranueshme. Nuk ka vend për to në futbollin e sotëm.”
Në fund, ai komentoi edhe penalltinë e diskutueshme në Pamplona, duke mbrojtur qëndrimin e tij: “Si portier, them se nuk ishte penallti. VAR-i duhet ta vlerësojë më mirë kontekstin e aksionit.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: