Portieri i Juventusit, Michele Di Gregorio, po kalon një nga momentet më të vështira që prej transferimit te bardhezinjtë në verën e vitit 2024. Gabimet në ndeshjet ndaj Como-s dhe Interit e kanë vendosur 26-vjeçarin në qendër të kritikave, pasi në të dy sfidat pasaktësitë e tij i kushtuan skuadrës gola vendimtarë.
Megjithatë, situata ka kaluar përtej kufijve sportivë. Pas humbjes ndaj Como-s, ish-portieri i Monz-s u detyrua të mbyllte komentet në profilin e tij në Instagram, për shkak të fyerjeve të shumta dhe mesazheve kërcënuese që mori në javët e fundit. Sipas raportimeve, përveç ofendimeve ndaj tij, nuk kanë munguar as kërcënimet ndaj familjarëve.
Edhe para fillimit të ndeshjes me Como-n, gjatë nxehjes, disa tifozë e kanë ofenduar rëndë, duke e quajtur “bir kurve” dhe “interist”, për shkak të së kaluarës së tij në akademinë zikaltër.
Pavarësisht gabimeve, reagimi në rrjetet sociale ka qenë i tepruar. Di Gregorio nuk konsiderohet shkaku i vetëm i momentit negativ që po kalon Juventusi. Trajneri Luciano Spalletti i ka qëndruar pranë portierit dhe nuk përjashtohet mundësia që ai të pushojë në sfidën e radhës ndaj Galatasaray-t, për t’i dhënë pak qetësi dhe kohë për t’u rikuperuar psikologjikisht.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: