Laporta zbulon prapaskenat e Barcelonës: Kontrata e refuzuar nga Messi, Koeman, Xavi dhe skandali 'Negreira'

Laporta zbulon prapaskenat e Barcelonës: Kontrata e refuzuar nga Messi, Koeman, Xavi dhe skandali 'Negreira'

12:33, 24/02/2026

Ish-presidenti i Barcelonës, aktualisht kandidat për një mandat të ri, Joan Laporta, ka bërë zbulime të reja dhe interesante mbi prapaskenat e klubit gjatë mandatit të tij të fundit në librin e tij të titulluar “Kështu e shpëtuam Barcelonën”, i cili u vuri në shitje këtë të martë. Përveç situatës ekonomike kaotike që gjeti, Laporta ndau detaje mbi largimin e Messi-t nga klubi.

“Gjatë negociatave për rinovimin e kontratës së tij, ai kishte një ekip mjaft kërkues. Edhe pse babai i tij ishte më i kuptueshëm, rrethi i tij i afërt jepte përshtypjen e kundërt. Ne shpikëm një zgjidhje të guximshme: një kontratë afatgjatë që përfshinte një fazë fillestare si lojtar i Barcelonës dhe një fazë të dytë me huazim në një skuadër të MLS-së. Dukej si një mënyrë për të anashkaluar rregullat e LaLiga-s. Megjithatë, na thanë ta harrojmë, sepse do të duhej të nënshkruanim një marrëveshje për të shitur një përqindje të të drejtave televizive për pesëdhjetë vjet përmes një fondi të quajtur CVC,” shpjegoi ai.

Ishte gjithashtu mundësia e kthimit pas aventurës në PSG: “Jorge Messi erdhi në shtëpinë time, përgatita kontratën, i dërgova draftin dhe nuk mora përgjigje. Kaloi një javë, dy… një muaj më vonë, ai erdhi sërish dhe më tha se kishin vendosur të shkonin tek Inter Miami, ku nuk do të ishte nën presion kaq të madh.”

Një tjetër temë ishte dorëheqja e Ronald Koeman: “Ronaldi erdhi tek unë, së bashku me agjentin e tij, Rob Jansen, dhe më pyeti: ‘Jam trajneri yt?’ Unë i thashë: ‘Ronald, për mua je një legjendë, kam qarë në Wembley, por duhet të të them që nuk je’. Ai nuk e priti mirë.”

Ndërkohë, ndarja nga Xavi ishte gjithashtu një çështje e rëndësishme. “Ne po shihnim deficite në përgatitjen fizike (…) Por në fund të sezonit, ai më tha se donte të qëndronte, edhe pse ne tashmë kishim njoftuar largimin e tij. E pyeta nëse besonte te skuadra që kishte, dhe ai më tha: ‘Do ta bëj kampione 100%’.”

Laporta shtoi se, megjithëse mendonte se Xavi duhej të këshillohej me dikë më profesional, ai pranoi dhe e mbështeti, por disa ditë më vonë trajneri bëri deklarata se nuk do të ishin konkurrues për dy vitet e ardhshme. “E thirra dhe i thashë se nuk po bënim gjërat si duhet. Unë isha në spital në Barcelonë, me pneumoni, dhe ai më tha se donte të më takonte. Erdhën me maskë dhe kapelë, dhe më tha se besonte te skuadra dhe gjithçka mund të ndryshonte. Por ditën tjetër i tha Deco-s se duhej të ndryshonim shumë lojtarë. Atëherë u takuam në qytetin sportiv; ishim unë, Rafa Yuste dhe Deco, dhe i thamë se na vjen keq, por nuk mund të vazhdonim kështu.”

Mbi çështjen Negreira, skandali më i madh i futbollit spanjoll, Laporta akuzoi Real Madrid-in: “I ftoj të gjithë ata që na akuzojnë për korrupsion arbitral me kaq lehtësi dhe pa seriozitet të tregojnë një ndeshje specifike, një gol, një situatë ose një veprim të dyshimtë në favorin tonë që ka ndodhur si rezultat i këtyre konsultimeve teknike. Gjatë shtatëdhjetë viteve, anëtarë, ish-lojtarë apo ish-drejtorë të Real Madrid-it emëruan arbitrat për të bërë drejtësi në çdo ndeshje. Ky ishte, pa dyshim, skandali më i madh në historinë e futbollit spanjoll!”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco