Manchester United vazhdoi serinë pozitive nën drejtimin e Michael Carrick, duke mposhtur 1-0 Evertonin në transfertë. Goli vendimtar u shënua në pjesën e dytë nga zëvendësuesi Benjamin Sesko, që vulosi një fitore të rëndësishme në Premier League.
United e nisi ndeshjen më mirë dhe iu afrua golit që në minutat e para me Amad Diallo, por Jordan Pickford dhe mbrojtja vendase shpëtuan në vijën fatale. Edhe Diogo Dalot provoi nga distanca, ndërsa Everton reagoi para pushimit me një goditje dënimi të James Garner, të ndalur nga portieri Senne Lammens.
Në fillim të pjesës së dytë, Everton ishte pranë avantazhit me Harrison Armstrong, por Lammens u tregua i sigurt. Rasti më i mirë për miqtë erdhi me Bryan Mbeumo, që gaboi para portës. Goli erdhi në minutën e 71-të pas një kundërsulmi të shpejtë: Cunha shërbeu për Mbeumo, i cili asistoi për Sesko dhe ky i fundit realizoi me një goditje të menjëhershme në cepin e portës.
Everton u hodh në sulm në fund, por Lammens ndali përpjekjet e Michael Keane dhe Tyrique George. United administroi avantazhin deri në fund, duke marrë tri pikë të vlefshme dhe duke iu afruar zonës së kreut në renditje.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: