Mesfushori sllovak Tomas Suslov është rikthyer në fushë pas gjashtë muajsh mungesë për shkak të një dëmtimi të rëndë. Me fanellën e Hellas Verona, ai u aktivizua në minutën e 82-të në ndeshjen kundër Sassuolo në Serie A, duke regjistruar paraqitjen e tij të parë në sezonin aktual.
Suslov pësoi këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior në gjurin e majtë gjatë stërvitjes në gusht të vitit të kaluar.
Pas operacionit, ai kaloi muaj të gjatë rikuperimi e rehabilitimi, përpara se të rikthehej në fushë.
“Ndeshja ishte praktikisht e vendosur, por isha shumë i lumtur që pas një kohe të gjatë u riktheva aty ku ndihem më mirë,” tha 23-vjeçari për “futbalsfz.sk”.
Ai ndjek me vëmendje paraqitjet e bashkëlojtarëve të tij në kualifikimet për Botërorin 2026.
“I kam mbështetur shumë djemtë, kam qenë në çdo ndeshje në shtëpi dhe mendoj se kanë bërë një punë të shkëlqyer. E arritëm objektivin tonë dhe besoj fort se në mars do të luajmë dy ndeshje të mëdha dhe do ta gëzojmë Sllovakinë”, shtoi ai.
Për “play-offin” e marsit, Suslov po bën maksimumin për t’u gati.
“Po bëj gjithçka që të jem i gatshëm dhe të ndihmoj ekipin. Nëse gjithçka shkon sipas planit, besoj se do të kontribuoj,” tha ai.
Ndeshjen e fundit me kombëtaren e Sllovakisë e kishte luajtur më 23 mars 2025 në Ligën e Kombeve kundër Sllovenisë në Ljubljanë.
Pas një viti, ai mund të rikthehet më 26 mars, kur Sllovakia do të përballet me Kosovën në gjysmëfinalen e “play-offit” për Botërorin 2026.
“Kosova do të jetë shumë agresive. Lojtarët e saj kanë mentalitet të fortë dhe për ta është një mundësi unike për t’u kualifikuar në Botëror. Prandaj pres një ndeshje shumë të fortë dhe të ngushtë, ku detajet do të bëjnë diferencën,” paralajmëroi Suslov.
Fituesi i kësaj ndeshjeje do të luajë në finale të “play-offit” kundër Turqisë ose Rumanisë, duke i dhënë një rëndësi të madhe sfidës së 26 marsit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: