Arbër Hoxha është përfshirë në formacionin e javës në Europa League, pavarësisht humbjes 3-1 të Dinamo Zagreb ndaj Genk. Është një rast i rrallë që një lojtar të vlerësohet kaq lart edhe kur skuadra e tij del e mundur, çka tregon ndikimin individual të sulmuesit shqiptar në këtë takim.
Arbër Hoxha e nisi sfidën si titullar dhe qëndroi në fushë për 71 minuta në ndeshjen e zhvilluar në ‘Stadion Maksimir’. Paraqitja e tij u vlerësua me notën 8.4 nga ‘Sofascore’, një nga më të lartat e javës në kompeticion, falë lëvizjeve të rrezikshme në sulm dhe kontributit të vazhdueshëm në lojën ofensive të ekipit kroat.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ishte ndër pikat më pozitive të Dinamos, duke u dalluar për energjinë dhe iniciativën në fazën sulmuese. Edhe pse rezultati final nuk ishte në favor të skuadrës së tij, performanca personale e Hoxhës tërhoqi vëmendjen e analistëve falë statistikave të tij në ndeshjen ndaj Genk-ut
Tani vëmendja zhvendoset te ndeshja e kthimit, që do të luhet pas disa ditësh, ku Dinamo Zagrebi do të kërkojë përmbysjen. Forma e mirë e Hoxhës përbën një sinjal pozitiv për ekipin dhe për Kombëtaren shqiptare, duke konfirmuar rritjen e tij në arenën ndërkombëtare.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: