Dean Huijsen, mbrojtës 20-vjeçar i Real Madridit, ka bwrw hapa pas në sezonin e tij të parë në kryeqytetin spanjoll. Qendërmbrojtësi holandez nuk do të luajë ndaj Osasuna-s për shkak të një problemi të vogël muskulor në kofshën e këmbës së djathtë dhe është në dyshim për ndeshjen e kthimit në Champions League, kundër Benfica-s, të mërkurën e ardhshme. Koha e rikuperimit pritet të zgjasë 5-7 ditë.
Huijsen ka përjetuar një fillim sezoni plot ulje-ngritje. Pas debutimit të suksesshëm me Holandën dhe paraqitjeve të shkëlqyera në fillim të sezonit, ai ka hasur vështirësi, përfshirë një penallti të diskutueshme ndaj Yangel Herrera-s në ndeshjen me Real Sociedadin, që nxiti reagime negative nga tifozët. Fatmirësisht, Vinicius Júnior shënoi penalltinë pas pak minutash, duke shpëtuar situatën për ekipin dhe për Huijsen-in.
Klubi ka investuar shumë tek Huijsen, duke paguar 58 milionë euro për ta transferuar nga Bournemouth-i, dhe e sheh atë si një pjesë kyçe të mbrojtjes të së ardhmes, sidomos kur Militao të rikuperohet. Megjithatë, me rikthimin e Rüdiger-it, pozicioni i Huijsen është bërë më i pasigurt, pasi gjermani ka eksperiencë dhe autoritet për të qenë titullar, ndërsa Huijsen duhet të konkurrojë me Asencio-n për vendin në formacion.
Pavarësisht sfidave, trajneri dhe ish-lojtari Arbeloa vazhdon të mbështesë Huijsen-in, duke vlerësuar potencialin dhe performancën e tij në fillim të sezonit dhe në ndeshjet me Holandën. Megjithatë, eksperti Quique Sánchez Flores ka shprehur mendim kritik: Huijsen ka cilësi të jashtëzakonshme në daljen me topin dhe është shumë i ri, por i mungon pjekuria mbrojtëse dhe kuptimi më i thellë i pozicionimit. Gabimet e vogla dhe qetësia me topin janë "mëkate të rinisë", sipas tij.
Në këtë mënyrë, Huijsen pritet të shohë disa ndeshje nga pankina ose nga tribuna, ndërsa formacioni Rüdiger-Asencio mund të konsolidohet.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: