Trajneri i Bayern-it, Vincent Kompany, u shpreh me emocione të forta në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Eintracht Frankfurt-it, duke komentuar incidentin e racizmit ndaj Vinicius Junior në ndeshjen e Ligës së Kampionëve mes Benfica-s dhe Real Madridit. Kompany foli për rreth dymbëdhjetë minuta, duke theksuar përgjegjësinë, udhëheqjen dhe rëndësinë e reagimit ndaj racizmit në futboll.
Trajneri belg mbështeti Vinicius pa asnjë rezervë: “E pashë live. Reagimi i tij nuk mund të ishte i rremë. Ai ishte emocional dhe nuk ka asnjë përfitim për të që të shkonte tek arbitri dhe të merrte gjithë këtë barrë. Kylian Mbappé, i cili zakonisht është gjithmonë i qetë dhe diplomatik, ishte aty dhe gjithashtu konfirmoi atë që pa dhe dëgjoi. Ai foli për këtë edhe pas ndeshjes.”
Megjithatë, Kompany kritikoi ashpër trajnerin e Benfica-s, José Mourinho, për mënyrën se si reagoi pas ndeshjes: “Ajo që ndodhi pas ndeshjes ishte edhe më e keqe. Mourinho sulmoi karakterin e Vinicius Junior duke komentuar mënyrën e festimit të golit. Në aspektin e udhëheqjes, ky është një gabim i madh. Ai gjithashtu përmend Eusébio-n dhe thotë se Benfica nuk mund të jetë raciste sepse ka pasur lojtarin më të mirë të historisë së klubit. Por a e di ai se çfarë kanë përjetuar lojtarët me ngjyrë në vitet ’60? Babai im ishte person me ngjyrë dhe përjetoi ato kohëra ku opsioni i vetëm ishte të heshtje dhe të jesh dhjetë herë më i mirë për të marrë pak njohje. Kjo nuk është diçka që mund të injorohet.”
Megjithatë, Kompany theksoi se kritika e tij nuk lidhej me karakterin e Mourinho-s: “E di që është një person i mirë. Të gjithë lojtarët që kanë punuar me të flasin pozitivisht. Ai lufton për klubin dhe ekipin e tij, por në këtë rast bëri një gabim. Shpresoj që kjo të mos ndodhë më në të ardhmen, në mënyrë që të përqendrohemi tek ajo që mund të bëjmë së bashku dhe jo tek ato që na ndajnë.”
Në përfundim, Kompany theksoi problematikën më të gjerë në futboll: “Vinicius është në pozicion të flasë dhe të protestojë. Ende ka shumë lojtarë në Europë dhe në botë, të cilët janë me ngjyrë dhe nuk kanë mbështetje në rast incidentesh. Vini ka mundësinë të përdorë këtë moment për të ngritur zërin, falë të gjithëve që e bënë të mundur këtë përpara tij.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: