Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka zbuluar se interesi global për Kupa e Botës 2026 ka arritur nivele historike.
Sipas tij, në vetëm katër javë janë regjistruar 508 milionë kërkesa për bileta, ndërkohë që në dispozicion janë rreth 7 milionë bileta.
Në një intervistë për CNBC nga rezidenca Mar-a-Lago, Infantino theksoi se një kërkesë e tillë nuk është parë kurrë më parë, me aplikime që kanë ardhur nga më shumë se 200 vende të botës.
Ai shtoi se në rreth 100 vite histori të Botërorit, FIFA ka shitur gjithsej më pak se 50 milionë bileta, ndërsa kërkesa aktuale e tejkalon çdo parashikim.
Turneu i vitit 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada, do të jetë i pari me 48 kombëtare dhe pritet të jetë më i ndjekuri në histori.
Kërkesa e jashtëzakonshme ka ardhur pavarësisht kritikave për çmimet e larta të biletave, të cilat FIFA i ka justifikuar me sistemin e çmimeve dinamike.
Për shkak të mbingarkesës së aplikimeve, FIFA ka përdorur sistem shorti për shpërndarjen e biletave.
Për tifozët që nuk siguruan një vend në fazën e parë, një shitje “Last-Minute” do të hapet në prill me parimin “i pari që vjen, i pari shërbehet”, deri në përfundimin e turneut. Botërori do të nisë më 11 qershor dhe finalja do të luhet më 19 korrik, duke premtuar një spektakël global.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: