Rrëfimi i kickboxer-it shqiptar/ Jurgen Çika la Gjermaninë për të luftuar për Shqipërinë

09:57, 19/02/2026

Kampioni i kickbox-it, Jurgen Çika, ka ndarë detaje nga karriera e tij, një rrugëtim i nisur në Gjermani, por i kurorëzuar me vendimin për t'u kthyer dhe për të luftuar për kombin shqiptar.

Ndonëse karriera e tij u formësua jashtë vendit, dëshira për të përfaqësuar Shqipërinë e solli atë përballë sfidash të reja dhe të papritura.

Fillimet e tij në sportin luftarak datojnë në Gjermani, ku disiplina dhe përkushtimi ishin themeli i formimit të tij si sportist profesionist.

I ftuar në “Kafe Shqeto” me Flavio Qarrin në Syri Tv, ai tregon se për të ndjekur pasionin, i është dashur të bëjë sakrifica të mëdha, përfshirë udhëtime që zgjasnin deri në dy orë vetëm për të arritur në palestër.

"Karriera ime ka vazhduar jashtë, ka filluar shumë herët në Gjermani", shprehet ai, duke theksuar se atje ishin hapat e parë seriozë në këtë sport.

Megjithatë, kthimi në atdhe për të kontribuar për ekipin kombëtar nuk ishte pa vështirësi.

Jurgeni përshkruan një "përplasje" mes sistemit tejet të organizuar gjerman dhe një realiteti më të improvizuar në Shqipëri.

"Të ndërrosh një natyrë, të ndërrosh një vend është pak e vështirë", pohon ai, duke iu referuar kalimit nga një vend super i organizuar në një tjetër ku iu desh të orientohej nga e para me palestrat, trajnerët dhe të gjithë rutinën e tij stërvitore.

Sfida më e madhe, sipas tij, mbetet ruajtja e disiplinës së hekurt që kërkon një sportist elite.

Ai pranon se tundimet sociale në Shqipëri janë të shumta dhe të përditshme, duke e bërë betejën jashtë ringut po aq të vështirë sa atë brenda tij.

"Të them të drejtën është diçka shumë e vështirë," rrëfen kickboxer-i, duke përmendur presionin e rrethit shoqëror që shpesh nuk e kupton regjimin strikt të një sportisti.

Pavarësisht vështirësive, objektivi i tij mbetet i qartë: të arrijë majat si një kampion që përfaqëson ngjyrat kuqezi.

Vendimi për t'u kthyer është një zgjedhje e ndërgjegjshme për të luftuar për flamurin shqiptar, një mision që ai është i vendosur ta çojë deri në fund, duke synuar suksesin në arenën ndërkombëtare.

“Thjesht e kam vendosur vetë me thënë që të kthehem të punoj për kombëtaren shqiptare. Kam bërë një karrierë goxha të mirë jashtë. Jam falenderues shumë edhe ndaj shtetit gjerman që më ka dhënë shumë mbështetje. Ai më dha atë, atë formimin, atë përgatitjen, por që u ktheva këtu. Ishin ato disfatat, problematikat e stërvitjes, derisa u orientova me palestra, me gjëra, me trajnerë, se është... të ndërrosh një natyrë, të ndërrosh një vend është pak e vështirë.

Është pak e sikletshme, sidomos kur je edhe në gradën profesionale. Por që arrita, u ambientova me vendin, arrita t'i vihem stërvitjes dhe njëherë nga e para, dhe kundër ambiente do t'i kalosh edhe njëherë gjërat nga e para.

Deri tani çdo gjë ka shkuar mirë. Stërvitjen e kemi vazhduar shumë mirë. Ne kemi një palestër që stërvitemi, është palestër goxha e mirë”, tha kampioni Jurgen Çika.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco