Kampioni i katërfishtë i botës në Formula 1, Max Verstappen, ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij për drejtimin që po merr rregullorja e re teknike e kampionatit. Piloti holandez e ka krahasuar evolucionin e makinave me ato të Formula E, duke theksuar se nuk dëshiron që dy botët të përzihen.
“Sapo më pyetën dhe dhashë mendimin tim. Jetojmë në një botë të lirë dhe unë isha thjesht i sinqertë. Ka shumë pilotë të mirë në Formula E që do të bënin mirë edhe këtu, por nuk dua që të afrohemi me atë kategori. Dua që Formula 1 të mbetet Formula 1”, u shpreh Verstappen. Sipas tij, rritja e rolit të baterive nuk është rruga e duhur: ai do të preferonte një fokus më të madh te motori tradicional dhe më pak varësi nga komponentët elektrikë.
Holandezi theksoi se mënyra e drejtimit në Formula E është krejt ndryshe, me pilotët që duhet të menaxhojnë energjinë dhe rikarikimin e baterive. Ky aspekt, sipas tij, do të detyrojë edhe pilotët e F1 të ndryshojnë stilin e tyre të garimit.
Gjatë dimrit, bota e Formula 1 ka pasur kontakte me skuadra dhe pilotë të Formula E për të shkëmbyer informacione teknike. Teknologjia e kësaj kategorie ka avancuar me ritme shumë të shpejta dhe makinat e gjeneratës së katërt pritet të jenë jashtëzakonisht të shpejta. Megjithatë, Verstappen këmbëngul se është e rëndësishme që secili kampionat të ruajë identitetin e vet.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: