Është zhvilluar gara e sllallomit në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, ku për Shqipërinë zbritën në pistë tri skiatore.
Vëmendja kryesore ishte te 19-vjeçarja Lara Colturi, nga e cila pritej një rezultat i madh.
Ajo u rendit në vendin e 10-të, duke regjistruar paraqitjen më të mirë të Shqipërisë në historinë e Lojërave Olimpike Dimërore.
Pas zbritjes së parë, Colturi u klasifikua e 7-ta me kohën 48”39. Në zbritjen e dytë ajo regjistroi 53”39, duke humbur disa pozicione në renditje.
Me kohën e përgjithshme 1’41”78, skiatorja kuqezi e mbylli garën në vendin e 10-të.
Medalja e artë shkoi për legjendën amerikane Mikaela Shiffrin, e cila triumfoi me kohën 1’39”10.
Në një konkurrim me 95 pjesëmarrëse, Colturi bëri maksimumin në të dyja zbritjet.
Rezultati i saj ishte më i mirë se vendi i 16-të i arritur në sllallomin gjigand tri ditë më parë, duke konfirmuar progresin e saj në këtë Olimpiadë dhe duke i dhënë sportit shqiptar një moment historik.
Në këtë garë morën pjesë edhe Lisa Brunga dhe Semire Dauti. Brunga, në debutimin e saj olimpik, e përfundoi zbritjen e parë, por u skualifikua nga gjyqtaria.
Ndërsa Dauti nuk arriti ta mbyllte garën pas një gabimi në zbritjen e saj.
Pavarësisht kësaj, pjesëmarrja e tyre përbën një përvojë të vlefshme për ekipin kuqezi në një event kaq të madh.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: