Bukayo Saka ka firmosur një kontratë të re pesëvjeçare me Arsenalin, duke u bërë lojtari më i paguar në historinë e klubit londinez. Marrëveshja e re e lidh sulmuesin anglez me “Topçinjtë” deri në vitin 2031 dhe, sipas raportimeve, kap vlerën e të paktën 78 milionë paundëve, me një pagë javore mbi 300 mijë paundë.
Kontrata e mëparshme e 24-vjeçarit skadonte në vitin 2027, por rinovimi i ri pritet të sigurojë që ai t’i kalojë vitet më të mira të karrierës në veri të Londrës. Produkt i akademisë Hale End, Saka ka qenë një nga figurat kyçe në rritjen e Arsenalit në sezonet e fundit, ku skuadra ka përfunduar tri herë radhazi në vendin e dytë në kampionat.
Anësori i talentuar është pranë paraqitjes së tij të 300-të me ekipin e parë, pasi deri tani ka zhvilluar 296 ndeshje, duke shënuar 77 gola dhe duke dhënë 78 asistime. Rinovimi i tij vjen në një periudhë kur disa lojtarë të rëndësishëm të klubit kanë firmosur marrëveshje afatgjata, përfshirë William Saliba-n dhe Gabriel Magalhães.
Angazhimi i Saka-së përfaqëson një lajm shumë pozitiv për trajnerin Mikel Arteta, teksa Arsenali është pranë objektivave madhorë këtë sezon. Skuadra kryeson kampionatin me katër pikë avantazh, ka siguruar kualifikimin në raundin e pestë të Kupës së Anglisë, në finalen e Kupës së Ligës dhe në fazën e 1/8-ave të UEFA Champions League.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: