Lecce mori një fitore shumë të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur 2-0 Cagliari-n në stadiumin ‘Unipol Domus’ dhe duke regjistruar suksesin e dytë radhazi në Serie A. Pas triumfit ndaj Udinezes javën e kaluar, skuadra e drejtuar nga Eusebio Di Francesco konfirmoi formën e mirë dhe hodhi një hap të madh drejt mbijetesës.
Pjesa e parë ishte përgjithësisht e ekuilibruar, me të dy ekipet që krijuan raste, por pa arritur të zhbllokonin rezultatin. Ndeshja ndryshoi në minutën e 65-të, kur Omri Gandelman kaloi miqtë në avantazh. Mesfushori izraelit shfrytëzoi në maksimum një goditje dënimi të ekzekutuar nga Riccardo Sottil dhe me një goditje të saktë mposhti portierin vendas.
Vetëm dhjetë minuta më vonë erdhi edhe goli i sigurisë. Ylber Ramadani lëshoi një goditje të fuqishme në shtyllën e parë, ndërsa portieri Elia Caprile nuk arriti të reagonte si duhet, duke lejuar topin të përfundonte në rrjetë.
Me këtë fitore, Lecce shkëputet nga Fiorentina dhe barazohet në kuotën e 24 pikëve me Cremonese-n dhe Genoa-n, duke e bërë edhe më të hapur garën për mbijetesë në kampionatin italian.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: