Një situatë e pazakontë po përjetohet nga Darwin Núñez, i cili, megjithëse është përjashtuar nga lista për kampionatin saudit, u shndërrua në protagonist absolut në arenën kontinentale. Sulmuesi uruguaian nuk do të mund të luajë më në kampionat deri në fund të sezonit, për shkak të kufizimeve mbi numrin e lojtarëve të huaj. Me afrimin në merkaton e dimrit të Karim Benzema-së, trajneri Simone Inzaghi u detyrua ta sakrifikonte ish-lojtarin e Liverpool-it nga lista e ligës.
Megjithatë, Núñez mbetet i aktivizueshëm në AFC Champions League, dhe pikërisht aty dha përgjigjen më të fortë në fushë. Ai realizoi një ‘dopietë’ vendimtare në fitoren 2-1 ndaj Al-Wahda FC, duke shënuar nga një gol në secilën pjesë. Falë paraqitjes së tij, Al Hilal SFC siguroi vendin e parë në grup dhe kualifikimin për në fazën e 1/8-ve të finales.
Skuadra saudite e mbylli grupin me pesë pikë avantazh ndaj rivalëve të Al Ahli Saudi FC, duke konfirmuar ambiciet e saj në kompeticionin më të rëndësishëm aziatik për klube. Kështu, edhe pse i përjashtuar nga gara vendase, Núñez u bë njeriu që i dhuroi skuadrës së Inzaghit një sukses të rëndësishëm ndërkombëtar.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: