Arbitri Federico La Penna është vënë në qendër të një stuhie kërcënimesh pas ndeshjes mes Interit dhe Juventusit. Pas polemikave për përjashtimin e Kalulu, gjyqtari rrezikon një pezullim rreth njëmujor dhe ndërkohë ka depozituar kallëzim penal për kërcënimet e rënda të marra në rrjetet sociale.
Deklaratat e një dite më parë nga drejtuesi i arbitrave italianë, Gianluca Rocchi, lanë të kuptohej se linja zyrtare do të ishte ndalimi i përkohshëm i La Penna-s pas një vendimi të cilësuar si “qartësisht i gabuar”. Sipas burimeve pranë shoqatës së arbitrave, pezullimi pritet të zgjasë rreth një muaj, edhe pse teorikisht ekziston mundësia e një rikthimi të menjëhershëm për ta ndihmuar të kapërcejë presionin psikologjik.
Situata është përkeqësuar nga vala e ofendimeve dhe kërcënimeve. Sipas raportimeve të ‘Corriere dello Sport’, La Penna ka bërë denoncim pranë Policisë Postare për mesazhe kërcënuese, disa prej të cilave kanë në shënjestër edhe bashkëshorten dhe dy vajzat e tij të vogla. Mesazhet përmbanin fraza të rënda dhe të papranueshme, pavarësisht se bëhet fjalë për një ngjarje sportive.
Policia i ka këshilluar arbitrit dhe familjes së tij të shmangin daljet nga shtëpia për arsye sigurie. La Penna, i cili në jetën e përditshme ushtron profesionin e avokatit, ka dokumentuar të gjitha kërcënimet për t’i ndjekur ato në rrugë ligjore. Ngjarja ka rihapur debatin mbi dhunën verbale në futboll dhe mbrojtjen e arbitrave nga abuzimet në rrjet.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: