Në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore 2026 të Federata Shqiptare e Futbollit, presidenti Armand Duka paraqiti një panoramë të detajuar të arritjeve, sfidave dhe objektivave strategjikë të institucionit që ai drejton.
Në fjalën e tij, Duka theksoi se FSHF hyn në një fazë të re konsolidimi dhe rritjeje të qëndrueshme, duke nënvizuar stabilitetin financiar dhe rritjen e ndjeshme të buxhetit ndër vite – nga rreth 200 mijë euro në fillime, në mbi 30 milionë euro në vit aktualisht.
Ai bëri të ditur se sot federata ka rreth 90 milionë euro asete në pronësi, përfshirë stadiume, qendra stërvitore dhe infrastrukturë sportive.
Presidenti evidentoi investimet prej mbi 16.5 milionë eurosh në katër vitet e fundit, që kanë sjellë ndërtimin e 40 fushave të reja dhe rikonstruksionin e disa stadiumeve në të gjithë vendin.
Sipas tij, infrastruktura mbetet themeli i zhvillimit dhe kërkon mbështetje më të madhe institucionale, pasi Shqipëria ka ende një raport shumë më të ulët fushash për banorë krahasuar me mesataren europiane.
Një tjetër pikë kyçe ishte zhvillimi i kapitalit njerëzor. Duka theksoi rritjen e ndjeshme të numrit të trajnerëve dhe profesionistëve të certifikuar me licenca të njohura nga UEFA, si dhe zgjerimin e përfaqësimit shqiptar në strukturat e FIFA dhe UEFA-s.
Në aspektin sportiv, ai vlerësoi progresin e ekipeve kombëtare, veçanërisht të Kombëtares së meshkujve, që synon kualifikimin historik në Kupën e Botës 2026, si dhe rritjen e përfaqësimit të vajzave në arenën ndërkombëtare.
Duka u ndal edhe te ndikimi ekonomik i futbollit, duke theksuar se ky sektor gjeneron rreth 100 milionë euro në vit për ekonominë shqiptare, por përfiton minimalisht nga ky impakt. Ai kërkoi miratimin e ligjit të sponsorizimit si një instrument thelbësor për rritjen e investimeve dhe formalizimin e mbështetjes për sportin.
Në përmbyllje, presidenti prezantoi strategjinë “Vision to Victory 2026–2030” si dokumentin bazë që do të udhëheqë zhvillimin e futbollit shqiptar në katër vitet e ardhshme, me fokus te cilësia, transparenca, përfshirja dhe qëndrueshmëria financiare, duke bërë thirrje për unitet dhe bashkëpunim nga i gjithë komuniteti i futbollit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: