Hazard pas pensionimit: Tani jam më shumë taksist se futbollist

Hazard pas pensionimit: Tani jam më shumë taksist se futbollist

17:25, 15/02/2026

Ish-‘ylli’ belg Eden Hazard ka folur hapur për jetën e tij pas tërheqjes nga futbolli, duke treguar se sot bën një jetë shumë më të qetë dhe familjare. Në një intervistë për ‘The Guardian’, ish-sulmuesi pranoi me humor se ndihet “më shumë si një taksist sesa si një lojtar futbolli”, duke iu referuar përkushtimit të tij ndaj familjes dhe pesë fëmijëve.

I tërhequr nga futbolli prej afro tre vjetësh, Hazard jeton në Madrid dhe është në paqe me vendimin për ta mbyllur karrierën në moshën 32-vjeçare, pas një periudhe të vështirë te Real Madridi, e shoqëruar nga dëmtimet. Larg vëmendjes së stadiumeve si “Bernabéu” apo eksperiencës së tij legjendare te Chelsea, ai shijon një përditshmëri të thjeshtë pranë bashkëshortes, fëmijëve dhe familjes.

Hazard krahasoi edhe dy kampionatet ku shkëlqeu, duke theksuar se “Premier League është më fizike dhe kërkon ritëm të pandërprerë, ndërsa La Liga është më teknike dhe taktike”. Duke kujtuar periudhën në Angli, ai rezervoi fjalë të mëdha për José Mourinho-n, trajnerin e tij te Chelsea. Belgu rrëfeu një episod kur humbi pasaportën dhe mungoi në stërvitje, por theksoi se nga Mourinho i mësoi pasionin për futbollin dhe besimin te lojtarët.

Një tjetër moment kulmor i karrierës së tij ishte Botërori 2018 me Belgjikën nën drejtimin e Roberto Martínez, ku kombëtarja arriti vendin e tretë. Hazard e kujton atë turne me krenari, sidomos ndeshjen çerekfinale ndaj Brazilit, që e konsideron paraqitjen e tij më të mirë.

Fitimi i Premier League me Chelsea-n, sipas tij, është po aq i vështirë sa triumfi në Ligën e Kampionëve, të cilën e fitoi me Real Madridin në vitin 2022. Për Hazard, më e rëndësishmja është që të mbahet mend si një futbollist i mirë dhe një njeri pozitiv. Tani fokusi i tij është familja dhe një e ardhme e qetë, larg presionit të futbollit profesionist.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco