Pas polemikave të forta që pasuan ndeshjen mes Juventusit dhe Interit, presidenti i Exor, John Elkann, ka kontaktuar presidentin e Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, për të shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me vendimet arbitrale.
Reagimi vjen pas kartonit të kuq ndaj Pierre Kalulu, një episod që ka ndezur debat të madh. Sipas burimeve pranë klubit bardhezi, Elkann ka shprehur një zhgënjim të fortë për gabimet e përsëritura të arbitrimit dhe ka kërkuar gjetjen e zgjidhjeve konkrete për të përmirësuar sistemin, me synimin për të garantuar integritetin dhe besueshmërinë e futbollit italian. Ai ka theksuar gjithashtu mbështetjen e plotë për klubin dhe skuadrën.
Mësohet se gjatë mëngjesit Elkann ka kontaktuar edhe drejtuesit e Juventusit, Damien Comolli dhe Giorgio Chiellini, si edhe trajnerin Luciano Spalletti. Ai ka vlerësuar angazhimin, unitetin dhe shpirtin luftarak të treguar nga ekipi në fushë, si edhe qëndrimin e ekuilibruar të drejtuesve në deklaratat pas ndeshjes.
Pronarët e klubit, sipas të njëjtave burime, ndajnë plotësisht angazhimin për ta mbrojtur Juventusin në çdo instancë, me vendosmëri dhe përgjegjësi, në një moment delikat për klubin pas polemikave të fundit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: